Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ka reaguar lidhur me lajmet e publikuara në media, për një largim të ish-ministrit Tahiri nga Shqipëria.
“Mediat po flasin për një Sajmir nga ata të përgjimeve të Antimafias italiane, që paska ikur në Gjermani. Me siguri do jetë ai Sajmiri shofer kamioni, se për Sajmirin ministër ka dhënë garanci Rama që nuk mund të lëvizë nga vendi”, ka thënë Paloka.
Numri dy i PD ka ironizuar votimin e mazhorancës në Parlament që ish-ministrit t’i bllokohet pasaporta, ndërsa ka shtuar, po me ironi, se puna është komplikuar.
“Është bërë shumë e ngatërruar kjo punë. Shumë Saje, shumë patenta, shumë pasaporta, shumë euro. Sajmir Tahiri ministër ka kushërinj Habilajt; nuk ka skaf, por ka dy patenta lundrimi; ka një “Audi” të shitur, por ende në pronësi të tij”, ka vijuar Paloka.
“Sajmir kamionisti nuk dihet çfarë i ka Habilajt, po ata i bëjnë dhurata të shtrenjta gruas dhe nënës së tij, mendojnë që 5 milionë euro në muaj nuk i mjaftojnë dhe propozojnë t’i dërgojnë 20 milionë euro ‘për fushatën e kamionistëve socialistë’.
Sajmir Sota mban dokumentat e Sajes ministër në makinë, fiton tendera nga Saja ministër dhe ka 865 mijë euro kesh që thotë se janë të tijat.
Kush Saje të ketë ikur në Gjermani? Të jetë ministri që ka shkuar me çantë për të blerë hekur, apo kamionisti me dokumenta të ministrit?
Në fund të fundit, Rama ku hyn këtu??? Ai nuk di çfarë bën vetë, jo të dijë se ç’bëjnë gjithë këta Saje”, ka komentuar më tej Paloka.
Top Channel