Vdes kryemafiozi italian, Toto Riina ishte dënuar me 26 burgime përjetë

17/11/2017 08:04

Pas disa ditësh në koma, në vazhdën e dy ndërhyrjeve kirurgjikale, Toto Riina, shefi i “Cosa Nostra”-s, që të enjten kishte mbushur 87 vjeç, ndërroi jetë në një spital të Parmës.

Riina, njëri prej “kumbarëve” më të tmerrshëm të historisë së mafias siçiliane, kishte kohë që luftonte me kancerin. I burgosur në 1993-shin, njeriu që i shpalli luftë shtetit po kryente 26 dënime me burgim të përjetshëm për dhjetëra vrasje, e ndëshkimin për ta kaluar të gjithë jetën prapa hekurave e ka marrë dhe djali i madh i tij, Giovanni.

Në vitin e prangosjes së kryemafiozit, një seri shpërthimesh me bomba të faturuara atij lanë 10 të vdekur në Romë, Milano e Firence. Një vit më parë, beteja e tij me forcat e rendit i kishte kushtuar jetën dy gjykatësve të lartë të Antimafias, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

I plakur e i drobitur tashmë, bosi frikësues që urdhëroi më shumë se 150 ekzekutime, kërkoi në korrik lirimin nga burgu me arsyetimin e sëmundjes, por hija e tij ishte tepër e rëndë edhe pas kaq kohësh izolimi.

Gjykata vendosi ta linte në qeli, me arsyetimin se kujdesi shëndetësor që i rezervohej atje ishte po aq i mirë sa ai që do të merrte jashtë.

“Për mua ti nuk je Toto Riina, je thjesht babai im dhe të uroj gëzuar ditëlindjen në këtë ditë të trishtë, por të rëndësishme. Të dua fort”, shkroi të enjten në Facebook, djali i tij Salvatore.

Riina nuk shfaqi në asnjë moment ndonjë shenjë pendimi. Jo më larg se përpara 3 vitesh, ndërsa fliste në burg me një të dënuar tjetër, ai mburrej për vrasjen e Falcones e vazhdonte t’i kërcënonte magjistratët me vdekje. Por për kapitenin që e arrestoi përpara dy dekadash e gjysmë, kolonelin Sergio de Caprio, Riina ishte vetëm një burracak e asgjë më shumë.

FOTO GALERI
3/24

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA