Pas shortimit të zhvilluar ndaj dosjeve të 35 gjyqtarëve e prokurorëve që po i nënshtrohen të parët procesit të vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i bën apel qytetarëve që të denoncojnë fakte e rrethana që mund të konsiderohen prova gjatë rivlerësimit.
Publiku mund të bëhet aktor i rëndësishëm në procesin e vettingut ndaj çdo gjyqtari apo prokurori, ndaj të cilit posedohen të dhëna kompromentuese që nga korrupsioni, fshehja e pasurisë, kontaktet me individë që i përkasin krimit të organizuar e deri tek shkelja e etikës dhe zvarritja e proceseve nga njerëzit e drejtësisë.
Për këtë arsye, Komisioni i Pavarur i Kualfikimit ofron faqen e internetit kpk.al, në të cilën në krahun e djathtë gjendet formulari i denoncimit nga publiku.
Në formularin që mund të plotësohet online apo edhe të dorëzohet me postë, denoncuesi duhet të vendosë emrin e mbiemrin së bashku me numrin personal të kartës së identitetit, adresën e banimit dhe numrin e telefonit.
Më tej të plota duhet të vendosen identiteti i gjyqtarit apo prokurorit të denoncuar, si edhe nëse është dorëzuar më herët ndaj tij një ankesë dhe në cilat organe – pyet Komsioni i Pavarur i Kualfikimit.
Përshkruani në mënyrë të saktë – udhëzohet më tej – shkeljet që po denoncohen, si dhe çdo provë apo të dhënë që posedohet, që nga dokumentat deri tek fotografitë.
Ndërkohë, në njoftimin për shtyp KPK sqaron se misioni i këtij organi nuk është të rishikojë vendimet e gjykatave, por të mbledhë të dhëna lidhur me veprime korruptive që më pas kanë ndikuar në vendimmarrje.
Të parët që do të verifikohen janë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, si edhe kandidatëve për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Top Channel