Trump vlerëson Duterten pas takimit: Marrëdhënie e shkëlqyer

13/11/2017 09:47

Pas takimit të shumëpritur me Rodrigo Duterten, Donald Trump deklaroi se kishte “një marrëdhënie të shkëlqyer” me homologun filipinas, por nuk është e qartë nëse i përmendi çështjen e shkeljes së të drejtave të njeriut, pavarësisht apeleve të shumta për ta bërë një gjë të tillë.

Administrata e mëparshme amerikane e kishte ngritur zërin kundër Dutertes dhe luftës së tij të egër ndaj drogës, që ka marrë deri tani 4.000 jetë njerëzish. Njeriu që ka shkaktuar mjaft polemika nëpër botë e përshëndeti shefin e Shtëpisë së Bardhë me një këngë vendase.

Kreu i shtetit filipinas mori mikrofonin për të kënduar bashkë me divën filipinase, Pilita Corrales, këngën “Ikaw”, apo “Ti”, që nis me këto fjalë: Ti je drita e botës sime, gjysma e kësaj zemre.

Shtetet e Bashkuara dhe ish-kolonia e tyre kanë qenë aleate strategjike që prej Luftës së Dytë Botërore. Por, marrëdhëniet mes tyre u tensionuan nga shpërthimet antiamerikane të Dutertes dhe entuziazmi i tij për lidhje më të mira me Rusinë dhe Kinën.

Trump ka mbërritur thuajse në fundin e turneut të tij të gjatë aziatik, i cili e ka çuar tashmë në Japoni, Korenë e Jugut, Kinë e Vietnam. Ndalesa në Manila për të, megjithatë, nuk ishte e gjitha rozë, sepse për dy ditë rresht, të dielën e të hënën, njerëzit zbritën në rrugët e kryeqytetit filipinas për të kundërshtuar praninë e tij, me pankarta ku shkruhej “Shko në shtëpi” apo “Ndalojeni Trump terroristin”.

Top Channel