Takim Trump-Putin në Vietnam? Ndoshta vetëm një shtrëngim duarsh

10/11/2017 09:01

Bota i ka kthyer sytë nga Samiti i “APEC”-ut në Vietnam edhe për një tjetër arsye, veç qëndrimit që do të shpërfaqte aty presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Të gjithë prisnin takimin e shumëpërfolur të tij me hologun rus, Vladimir Putin, por Shtëpia e Bardhë ua preu hovin. Sipas saj, mes dy udhëheqësve mund të ketë ndonjë lloj ndërveprimi jozyrtar, por nuk ka për të pasur një takim formal Trump-Putin.

Arsyeja sipas Sekretares së Shtypit, Sarah Sanders, është “përplasja e axhendave të të dyja palëve”.

Që kur dy udhëheqësit shtrënguan duart me njëri-tjetrin 5 muaj më parë në Hamburg, klima e marrëdhënieve mes kreut të administratës amerikane dhe shefit të Kremlinit është përkeqësuar dukshëm.

Një ditë më parë, Putin akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po shpikin akuza për doping ndaj atletëve rusë, në përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm në Rusi.

Sipas presidentit rus, veprimi amerikan ishte një reagim ndaj ndërhyrjes së imagjinuar ruse në zgjedhjet amerikane. Megjithatë, Moska kërkon sërish dialog dhe mund të ishte tema që do të dominonte një takim mes tij dhe presidentit amerikan.

Duket se deri në fund do të mbetet e paqartë nëse të dy ata do të kenë kohë për një bisedë në kuadër të samitit. Ishte vet presidenti i Amerikës, ai që pati hedhur përpara një jave idenë e një bisede të tillë, e Kremlini reagoi pozitivisht, por sërish pati mjaft hezitime.

Duket se secila nga palët kërkoi ta peshonte mirë përpara, nëse kjo gjë do t’ia vlente. Presidenti i Shteteve të Bashkuara premtoi gjatë fushatës elektorale se do t’i përmirësojë marrëdhëniet me Moskën. Trump donte ta mbante premtimin, megjithatë duket se nuk e bën dot, duke qenë se duhet të përballet me barrën e skandaleve në politikën e brendshme lidhur me Rusinë.

Top Channel