Panik në Tuluzë, makina përplas grupin e studentëve

10/11/2017 19:39

Një drejtues mjeti u vërsul me makinën e tij drejt një grupi studentësh në qytetin jugperëndimor francez të Tuluzës duke plagosur tre prej tyre.

Autoritetet franceze thanë se një prej të plagosurve është në gjendje serioze dhe ai bashkë me dy të tjerët janë me origjinë kineze. Incidenti ndodhi jashtë hyrjes së një gjimnazi në zonën e Balgnac. Mediat franceze raportojnë se incidenti ishte i qëllimshëm, por drejtuesi i mjetit nuk ishte në asnjë listë emrash të dyshuar për terrorizëm.

Sipas mediave franceze agresori është 28 vjeç dhe u arrestuar pak minuta pas ngjarjes. Policia franceze raportoi se ai kërkohej për krime të vogla në lidhje me drogën. Mediat ndërkohë shkruajnë se individi në fjalë kishte probleme serioze psikologjike, por autoritet nuk janë shprehur në këtë drejtim. Polici raportoi se të plagosurit, studentë të moshave 22 dhe 23 vjeç janë dërguar në spital në Tuluzë dhe po marrin trajtimin e nevojshëm.

Prokurori publik i Tuluzës Pierre-Yves Couilleau vizitoi vendin e ngjarjes dhe foli për mediat, por aktualisht, askush nuk e ka cilësuar incidentin një akt terrorist. Kryebashkiaku i Tuluzës Jean-Luc Moudenc tha se qyteti është tronditur nga agresioni ndaj studentëve, por edhe ai nuk foli për sulm terrorist.

Top Channel