Ekonomia e Eurozonës, KE parashikon rritje të ndjeshme

10/11/2017 12:45

Ekonomia në 19 vendet e Eurozonës, sipas Komisionit Europain po rritet këtë vit me hapa më të shpejtë krahasuar me 10 vitet e fundit.

Në një raport, Brukseli parashikon se Prodhimi i Brendshëm Bruto në hapësirën e Euros mund të rritet me 2.2 për qind këtë vit, duke tejkaluar parashikimet e bëra në pranverë për një rritje me 1.7 për qind.

“Ekonomia dhe punësimi po rriten në mënyrë te ndjeshme, ndërsa deficitet në sektorin publik dhe kuota e borxheve janë në rënie”, tha zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, Valdis Dombrovskis.

“Politika duhet të kujdeset, që rritja ekonomike të bëhet e prekshme për mbarë shoqërinë”, citon “Deutsche Welle” fjalët e tij.

Megjithatë, komisioneri i BE-së për Ekonominë, Pierre Moscovici sqaron se probleme të caktuara si borxhet e larta dhe rritjet e ngadalta të pagave do të vazhdojnë.

Për tregun e punës, Komisioni shprehet optimist. Mesatarja e kuotës së papunësisë për vitin 2017 do të jetë 9.1 për qind, e kësisoj në nivelin më të ulët që nga viti 2009.

Numri i të punësuarve parashikohet të arrijë rekorde të reja. Mes 19 vendeve të Eurozonës, Malta kryeson për rritjen ekonomike. Në këtë vend, Komisioni parashikon një rritje prej 5.6 për qind në vitin 2017. Ajo ndiqet nga Irlanda me 4.8 për qind dhe Sllovenia me 4.7 për qind.

Ekonomia gjermane sipas parashikimeve rritet me 2.2 për qind, po aq shpejt sa edhe e gjithë Eurozona bashkërisht.

Vendet e tjera të industrializuara si Franca dhe Italia, sipas Komisionit, në vitet 2017 deri në 2019-n do të kenë një rritje më të moderuar ekonomike.

Top Channel