SHBA, Forcat Ajrore dështuan ta raportonin vrasësin e Teksasit

07/11/2017 10:58

Dështimi i Forcave Ajrore amerikane në hedhjen e informacioneve për agresorin e Teksasit, Devin Patrick Kelley, në bazën e të dhënave kriminale kombëtare, do të vihet në shënjestër të një hetimi të vet këtyre forcave.

Një ish-ushtarak, Kelley u dëbua nga radhët e Forcave Ajrore me vendim gjykate në vitin 2012, për dhunë në familje dhe iu ndalua të zotëronte apo blente armë.

Por vitin e kaluar, ai mundi të blinte pushkën e përdorur në sulmin e së dielës në një kishë të vogël pranë San Antonios, ku mbetën të vrarë 26 vetë.

Sipas policisë, agresori që u gjet i vdekur në automjetin e tij ishte vetëvrarë me armë zjarri, ndërsa po ndiqej nga qytetarë të armatosur. Burime të sigurisë bënë me dije se ai ishte qëlluar në këmbë dhe kraharor nga një prej qytetarëve.

“Informacionet paraprake sugjerojnë se akuzat për dhunë në familje kundër Kelley nuk ishin përfshirë në bazën e të dhënave të qendrës kriminale kombëtare”, thuhet në deklaratën e Forcave Ajrore, ku shtohej se çështja do të hetohej tani në bashkëpunim me Departamentin e Mbrojtjes.

Guvernatori teksan, Greg Abbott deklaroi më herët se 26-vjeçari nuk duhej të ishte lejuar të zotëronte armë zjarri. Vrasësi ishte i armatosur me një pushkë gjysmëautomatike dhe dy pistoleta, kur sulmoi një kishë baptiste në “Sutherland Springs”, gjatë meshës së të dielës.

Sipas informacioneve të fundit, ai ishte zënë me të vjehrrën përpara masakrës, e pasi ishte qëlluar kishte telefonuar të atin për t’i thënë se nuk do të mbijetonte. Autoritetet theksuan se ngjarja ishte pasojë e problemeve familjare dhe nuk kishte sfond racor apo fetar.

Kisha e sulmuar frekuentohej nga vjehrra e tij, e ndoshta kjo ka qenë arsyeja përse ajo u vu në shënjestër të tërbimit të ish-ushtarakut. 12 deri në 14 fëmijë janë mes viktimave të sulmit, sipas sherifit të kontesë Wilson, më i vogli prej të cilëve ishte vetëm 1 vjeç.

Top Channel