Rikthimi i Berlusconit, koalicioni i tij fiton në Siçili

07/11/2017 01:46

Silvio Berlusconi duket se është në rrugën e një tjetër rikthimi politik, pas triumfit të koalicionit të mbështetur prej tij në zgjedhjet lokale të Siçilisë.

Fitorja i shton vrullin aleancës së porsaformuar të qendrës së djathtë. Votimi në ishullin italian shihej si test vendimtar përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit që vjen, e përbën një lajm të mirë për Berlusconin.

Karriera e miliarderit 81-vjeçar është pllakosur nga skandalet, si brenda qeverisjes së tij, ashtu edhe jashtë saj. Kavaljeri 4 herë kryeministër i ka qëndruar larg skenës politike që prej përjashtimit nga Parlamenti 4 vite më parë, kur u dënua për evazion fiskal, e tani po përpiqet të rrëzojë vendimin që ia ndalon mbajtjen e një pozicioni publik përpara zgjedhjeve të pranverës 2018.

Gjykata Europiane të Drejtave të Njeriut pritet ta rishikojë rastin e tij më vonë gjatë vitit. “Siçilia, ashtu siç kërkova, zgjodhi rrugën e një ndryshimi real, serioz dhe konstruktiv, të mbështetur te ndershmëria, kompetenca dhe eksperienca”, u shpreh Berlusconi në një video të postuar në Facebook.

Koalicioni i formuar rishtaz bën bashkë “Forza Italia”-n e kryeministrit, dikur të paprekshëm të vendit, dhe partitë e djathta, “Lega Nord” e “Fratelli d’Italia”. Kandidati i mbështetur prej tij, Nello Musumeci mposhti rivalin e “Lëvizjes 5 yjet” në një votim, ku më shumë se 50% e siçilianëve zgjodhën të mos e ushtrojnë këtë të drejtë kushtetuese.

Pikërisht afrimin e jovotuesve, Musumeci thotë tani se e ka kthyer në detyrën e tij të parë. Rezultati i votimit në Siçili është një grusht i fortë për qeverinë e qendrës së majtë, e cila është duke vuajtur ndërkohë politikisht, pasojat e zemërimit publik që ka shkaktuar kriza e zgjatur e emigrantëve.

Top Channel