Ligjet për armët, Trump refuzon t’i shtrëngojë

07/11/2017 22:42

Presidenti Donald Trump tha se qindra njerëz më shumë do të ishin vrarë në masakrën e Kishës në Teksas, nëse ligjet amerikane për armët do të ishin më shtrënguese.

Para reporterëve në Seul, ai tha se masa të tilla nuk do të kishin sjellë asnjë ndryshim në sulmin e së dielës që i kushtoi jetën 26 personave. Agresori Devin Patrick Kelley u gjet i vdekur në makinën e tij pasi ia mbathi nga skena e sulmit ku u ndoq dhe u plagos nga kalimtarë të armatosur.

Gjatë vizitës së tij në Seul, gazetarët pyetën presidentin amerikan nëse plani i tij për veting ekstrem ndaj emigrantëve duhej aplikuar edhe për amerikanët që duan të blejnë armë.

“Nëse bëjmë këtë që thoni ju, nuk do të sillte asnjë ndryshim tre ditë më parë dhe nuk do të kishim atë djalin trim që kishte armë me vete dhe plagosi apo neutralizoi agresorin. Po të mos kishte armë ai qytetar, në vend të 26 viktimave, do të kishim qindra”, u shpreh Donald Trump.

Për të mbështetur pikëpamjen e tij, Trump mori si shembull Çikagon, i cili ka nga ligjet më të rrepta dhe më shtrënguese për armët në SHBA, por është mes qyteteve më të dhunshme në vend. Sipas Trump katastrofa që ndodh në Çikago është prova se kufizimi i blerjeve të armëve nga qytetarët nuk parandalon vrasjet masive.

Top Channel