Gjendet i vdekur ministri laburist i shkarkuar i Uellsit

07/11/2017 14:45

Një politikan i lartë laburist në Britani është gjetur i vdekur, vetëm pak ditë pas pezullimit nga partia për shkak të akuzave të agresionit seksual.

Trupi i pajetë i ish-ministrit të qeverisë së Uellsit, Carl Sargeant, 48 vjeç, u zbulua në një banesë në Uellsin verior.

Burime policore njoftuan vetëm se po hetonin mbi një incident në lidhje me Sargeant, baba i dy fëmijëve, por nuk dhanë asnjë informacion tjetër.

Udhëheqësi laburist, Jeremy Corbyn e cilësoi këtë një lajm të tmerrshëm e thellësisht tronditës, e i përcolli ngushëllime familjes që shprehet e shkatërruar nga njoftimi.

Episodi përbën një kthesë të errët në skandalin e ngacmimeve, që i ka dhënë një shkundje të fortë politikës britanike.

Tetë ligjvënës konservatorë dhe 3 laburistë janë përfshirë në akuza për sjellje të pahijshme, e kryeministrja Theresa May u detyrua të mblidhte krerët e partisë mbrëmjen e së hënës për të diskutuar mbi situatën.

Të premten, Sargeant deklaroi se kishte dhënë dorëheqjen pas akuzave shqetësuese kundër tij, por burime brenda Partisë Laburiste pretendojnë se 48-vjeçari ishte shkarkuar.

Top Channel