Garda Kombëtare Ruse ‘mbron’ krerët e rajoneve

07/11/2017 22:44

Presidenti rus Vladimir Putin kërkoi që ushtarët elitë të forcës më të re luftarake në vend, pikërisht Gardës Kombëtare, të mbrojnë guvernatorët rajonalë të vendit.

Propozimi i Putin është pjesë e një ligji që pritet të miratohet shumë shpejt nga parlamenti i kontrolluar nga partia e presidentit. garda kombëtare u krijua vitin e shkuar dhe drejtohet nga ish truproja e Putin, Viktor Zolotov, një aleat i vjetër dhe një nga njerëzit më të besuar të presidentit.

Putin emëroi 11 guvernatorë të rinj para zgjedhjeve presidenciale të marsit të ardhshëm dhe ekspertët mendojnë se angazhimi i Gardës Kombëtare në rajone është pjesë e planit të tij për të kërkuar mandatin e katërt.

Me ligjet aktuale ruse, truprojë speciale kanë vetëm Presidenti, Kryeministri, krerët e Parlamentit dhe drejtësisë si dhe zyrtarë të huaj që vijnë për vizitë.

Shtrirja e këtij privilegji tek guvernatorët, sipas analistëve thjesht i vendos ata nën kontroll më të rreptë të Kremlinit. Garda kombëtare ka detyra si lufta ndaj terrorizmit apo ruajtja e centraleve bërthamore dhe dislokimi i saj në rajonet dhe republikat e Rusisë është një mjet shumë efikas për të shtypur çdo problem në lidhje me zgjedhjet.

340 000 trupat e gardës janë nga më të përgatiturat në Rusi dhe mbi të gjitha, komanda e saj i raporton drejt për drejt Kremlinit, duke anashkaluar ministrinë e mbrojtjes dhe atë të brendshme. vetë putin kohë më parë e paralajmëroi një hap të tillë, duke thënë se Rusia duhet të mbrohet nga revolucionet shumëngjyrëshe, si ato që rrëzuan presidentët në Ukrainë, Gjerogji dhe Kirgistan.

Top Channel