Gjermani, protestë dhe antiprotestë në 3-vjetorin e “Pegida”-s

29/10/2017 13:53

Gati 1.000 mbështetës të lëvizjes antiislamike “Pegida” në Gjermani e shënuan përvjetorin e tretë të saj me daljen në rrugët e Dresdenit.

Duke mbajtur në duar pankarta ku shkruhej “Islam? Jo faleminderit” dhe “Azilantë mashtrues shkoni në shtëpi”, përkrahësit e Lëvizjes Patriotike kundër Islamizimit të Perëndimit vërshuan në grupe të mëdha, ashtu siç bëjnë që prej vitit 2015.

Por mijëra njerëz të tjerë iu përgjigjen me një kundërtubim, duke iu treguar se nuk e mbështesin racizmin. Thirrjes së nismës “Zemër, në vend të nxitjes së urrejtjes” iu përgjigjën edhe politikanë e përfaqësues nga fusha e kulturës, ndër ta zëvendëskryeministri i Saksonisë, Martin Dulig, si dhe ministrja e Shkencës dhe Kulturës, Eva-Maria Stange.

Kryebashkiaku i Dresdenit, Dirk Hilbert kërkoi që të vendosen “linjat e kuqe” dhe “të thuhet qartë çfarë nuk përputhet me ligjin themelor”. Në sfondin e racizmit dhe ksenofobisë, sipas tij, duhet ta marrë fjalën gjithkush dhe të shprehet qartë: Ky nuk është Dresdeni im.

Hilbert deklaroi më shumë oferta për vendosje kontakti mes njerëzve, me prejardhje të ndryshme me vendasit. Tubuesit e tjerë ishin të një mendjeje me të.

“Ka edhe një anë tjetër të Dresdenit, e ajo është ana e personave që nuk e mbështesin Pegidën”, tha Matthew, demonstrues kundër Pegidës.

“Pas 3 vitesh, këta njerëz janë ende këtu dhe ende nuk e kanë kuptuar se rruga e tyre nuk çon asgjëkundi. Ata pretendojnë se flasin në emër të popullit, sepse morën shumicën në zgjedhjet e Saksonisë, por ata nuk flasin për popullin në pjesën tjetër të Gjermanisë”, tha Till B., demonstruese kundër Pegidës.

“Pegida” i nisi për herë të parë protestat në Dresden vjeshtën e vitit 2014. Që prej atëherë, kjo lëvizje ka arritur të mbilizojë në pikun e saj deri në më shumë se 20 mijë vetë. Në vitin 2016, “Pegida” numëronte rreth 8.000 përkrahës të lëvizjes, ndërsa sivjet ka regjistruar gati 5.000 të tillë.

Top Channel