Detyra e re (e përkohshme) e Barack Obamës

29/10/2017 13:21

Ish-president apo jo, rregullat janë njësoj për të gjithë, e ato amerikane ua diktojnë të gjithë qytetarëve, pa dallim, thirrjen në gjykatë për pjesëmarrje në juri.

Këtë herë i takoi Barack Obamës të marrë në duar fletën që i kërkon paraqitjen në kontenë Cook të Illinoisit, javën e ardhshme, dhe ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk ka ndërmend të refuzojë.

“56-vjeçari pritet të jetë pjesë e një jurie për një rast civil ose penal”, thonë mediet vendase.

Në një situatë të ngjashme janë gjendur pas largimit nga Zyra Ovale edhe ish-presidentët Bill Clinton e George Bush. Obama ka përfunduar Juridikun në Universitetin e Harvardit e ka dhënë mësim për 12 vite në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Chicagos, përpara se të kthehej në senator.

Ai ka punuar gjithashtu edhe si jurist i të drejtave civile. Sipas kryegjykatësit të kontesë Cook, Timothy Evans, siguria e ish-presidentit do të përbëjë prioritetin kyç në atë sallë. Qytetarët e thirrur për pjesëmarrje në juritë e gjykatave në Shtetet e Bashkuara paguhen me 17.25 dollarë për çdo ditë shërbimi.

Pozicionin e anëtarit të jurisë në këtë konte e ka provuar, përpara Obamës, edhe një tjetër emër mjaft i njohur në Amerikë, Oprah Winfrey, e cila ishte në mesin e atyre që duhej të jepnin vendimin e vet në një proces gjyqësor për vrasje në vitin 2004.

Top Channel