Rikthehen sulmet terroriste në Somali

28/10/2017 23:01

Dy shpërthime të fuqishme i kushtuan jetën të paktën 7 njerëzve në kryeqytetin somalez Mogadishu, sulmet për të cilat përgjegjësia u mor përsipër nga grupi terrorist Al Shabab.

Shpërthimi i parë u shkaktua nga një kamikaz që me makinën e tij u vërsul në brendësi të një hoteli vetëm disa qindra metra larg pallatit presidencial. Më pas militantë të armatosur sulmuan ndërtesën dhe mediat lokale raportojnë se ende dëgjohen krisma nga përballja e tyre me policinë.

20 minuta pas sulmit kamikaz, një shpërthim i dytë i shkaktuar nga një autobombë, ndodhi pranë të njëjtit hotel. Autoritetet somaleze thanë se mes viktimave ka ushtarë dhe civilë, ndërsa paralajmëruan se bilanci i viktimave pritet që të rritet. Burime spitalore thonë se mbi 20 të plagosur mbërritën klinikat pranë hotelit. Aktet e radhës terroriste në Mogadishu, ndodhi vetëm dy javë pas sulmi të përgjakshëm të 14 tetorit, si pasojë e të cilit humbën jetën 358 persona, ndërsa mbi 50 të tjerë u shpallën të humbur.

Grupi Ala Shabab, i cili mori përgjegjësinë për sulmet e fundit, por jo për atë të dy javëve më parë, lufton për të rrëzuar qeverinë dhe për të imponuar në Somali një fortë të rreptë të interpretimit të ligjit islamik Sharia.

Top Channel