Papa: Evropa të rigjejë unitetin

28/10/2017 22:57

Papa Françesku nxiti Bashkimin Evropian që të rigjejë ndjesinë e të qenit një komunitet i vetëm, nëse dëshiron një të ardhme prosperiteti dhe drejtësie për të gjithë.

Kreu i Selisë së Shenjtë foli në fund të një konference dy ditore në Vatikan që i kushtohej pikërisht Evropës. Mes pjesëmarrësve të shumtë ishin presidenti i parlamentit evropian Antonio Tajani, zv presidenti i komisionit evropian Frans Timermans dhe liderë fetarë.

Papa nuk përmendi në mënyrë specifike Katalonjën që kërkon të ndahet nga Spanja, apo Britaninë e madhe që po lë Bashkimin Evropian, por foli për solidaritet, punë në ekip dhe sakrifica reciproke.

“Një Bashkim evropian që përballet me krizat jo si një komunitet i vetëm, por si një koleksion grupesh të vogla interesi, do të humbasë jo vetëm një nga sfidat më të mëdha të historisë së tij, por gjithashtu edhe një prej mundësive më të mira për të ardhmen e tij. Axhendat specifike dhe nacionaliste rrezikojnë që të shkatërrojnë ëndrrën e guximshme të themeluesve të Evropës”, u shpreh Papa Françesku.

Në fjalimin e tij, Papa paralajmëroi për rrezikun që Evropës i vjen nga partitë populiste dhe anti-emigracion, por edhe nga politika në përgjithësi që shpesh, sipas tij, del nga rruga e drejtë dhe thjesht shndërrohet në një arenë për përplasjesh mes forcave kundërshtare.

Top Channel