Zgjedhjet në Kenia, pjesëmarrja “zhvlerëson” rezultatin

27/10/2017 11:15

Komisioni Elektoral i Kenias bëri me dije se vetëm 33% e votuesve të regjistruar morën pjesë në përsëritjen e zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan të enjten.

Kjo shifër është shumë më e ulët sesa thuajse 80% që votuan në zgjedhjet e gushtit, që më pas u cilësuan të pavlefshme. Lideri i opozitës, Raila Odinga, i kishte bërë thirrje mbështetësve të tij, por edhe të gjithë kenianëve që duan ndryshim, që të bojkotonin zgjedhjet dhe duket se ata i janë përgjigjur. Analistët thonë se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje është një mesazh mjaft i qartë se ata nuk duan më të drejtohen nga Presidenti aktual, Uhuru Keniatta, i cili kandidoi për mandatin e tij të dytë.

Komisioni Elektoral ka kohë 7 ditë që të shpallë rezultatin e zgjedhjeve, por me vetëm një kandidat dhe me një pjesëmarrje kaq të ulët, nuk është e qartë sa i ligjshëm mund të jetë ai.

Ndërkohë, përleshjet dhe dhuna nuk kanë munguar në vend gjatë zhvillimit të zgjedhjeve. Policia dhe ushtria u dislokuan në masë në të gjithë vendin dhe u përballën me mbështetësit e opozitës, që tentuan të bllokojnë zgjedhjet.

Top Channel