Shtetësia e dyfishtë, shkarkohen zyrtarët në Australi

27/10/2017 11:00

Zëvendëskryeministri Australian, Barnaby Joyce dhe 4 politikanë të tjerë u zgjodhën gabimisht pasi kanë nënshtetësi të dyfishtë.

Kështu vendosi Gjykata e Lartë e Australisë, një vendim që do të thotë se tre politikanë, mes të cilëve edhe Joyce, shkarkohen menjëherë nga detyrat e tyre. Politikanët e tjerë të përfshirë në këtë çështje nuk pritën vendimin e gjykatës, por u tërhoqën që në korrik.

Kushtetuta e Australisë e ndalon zgjedhjen në Parlament të personave me shtetësi të dyfishtë. Largimi i Joyce i heq qeverisë shumicën e saj prej një vendi në Parlament, por ish-zëvëndëskryeministri mund të kthehet nëse fiton prapë në zgjedhje. Joyce hoqi dorë nga shtetësia neozelandeze në gusht dhe është zotuar se do të kandidojë sërish.

“E respektoj vendimin e gjykatës. Jetojmë në një demokraci të mrekullueshme, që përmes rregullave dhe ekuilibrave na ka dhënë lirinë që kemi. E falenderoj gjykatën për vendimin”, deklaroi Joyce.

Katër politikanët e tjerë ishin Fiona Nash, Malcolm Roberts, Larissa Waters dhe Scott Ludlam, të cilët ishin zgjedhur deputetë. Saga e nënshtetësisë së dyfishtë ka mbërthyer politikën australiane që prej korrikut, duke shtyrë dhjetëra deputetë australianë që të qartësojnë statusin e tyre.

Top Channel