Kriza e Katalonjës, debat në Parlament për reduktimin e autonomisë

27/10/2017 08:56

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, i kërkoi senatorëve të aprovojnë vendosjen e kontrollit të drejtpërdrejtë mbi Katalonjën në mesin e krizës së thellë politike që shkaktoi përpjekja e rajonit për pavarësi.

Nuk kam rrugë, tha Rajoy, përveçse të shkarkoj Presidentin Carles Puigdemont, zëvendësin e tij dhe të gjithë ministrat rajonalë. Fjalimi i kreut të ekzekutivit u prit me duartrokitje në Senat, ku partia e tij popullore ka shumicën.

“Masat e jashtëzakonshme janë të nevojshme sepse nuk ka zgjidhje tjetër për Katalonjën përveç rikthimit të ligjit, demokracisë dhe stabilitetit. Qeveria e atjeshme po përçan familjet e po gjymton shoqërinë. Njerëzit kanë vuajtur që tani mjaftueshëm; paqartësia e situatës ka larguar bizneset nga rajoni. Ajo që u nevojitet katalanasve nuk është mbrojtje nga imperializmi spanjoll, siç i thonë ata, por nga një minorancë që në mënyrë të patolerueshme e shpallin veten pronarë të Katalonjës”, tha Rajoy.

Parlamenti katalanas ndërkohë po shikon mundësinë e shpalljes së pavarësisë. Debati nisi të enjten, pasi Puigdemont nuk i njoftoi zgjedhjet e reja ashtu siç pritej gjerësisht dhe në vend të kësaj i bëri thirrje ligjvënësve katalanas t’i japin ata një përgjigje ngërçit të krijuar. Propozimi për implementimin e rezultateve të referendumit pritet t’iu paraqitet deputetëve gjatë ditës së premte.

Separatistët e vijës së ashpër vazhdojnë të këmbëngulin për shkëputje. Ne do të vazhdojmë të ndjekim rrugën e një Republike Katalanase, tha njëri prej tyre, ligjvënës i CUP-së së ekstremit të majtë, e cila i ofron mbështetjen kyçe koalicionit qeverisës pro-mëvetësisë. Të shtunën e kaluar, Rajoy njoftoi se kishte kërkuar aktivizimin e Nenit 155 të Kushtetutës, sipas të cilit, qeveria qendrore mund të ndërhyjë dhe të marrë në dorë qeverisjen e Katalonjës.

Presidenti Puigdemont po atë ditë i kërkoi Parlamentit të hapte një debat dhe të lejonte një votë lidhur me planet e qeverisë qendrore. Komentet e tij u panë si një kërcënim i nënkuptuar për të shpallur zyrtarisht pavarësinë, pasi më parë ai deklaroi një ngrirje të planeve, siç duket, për të fituar kohë për negociata.

Top Channel