Sanksionet ndaj Rusisë, debate për vonesat në SHBA

26/10/2017 10:37

Sanksionet kundër Rusisë janë kthyer në “mollë sherri” në Uashington.

Republikanë në zë të Senatit Amerikan u zotuan të zbulojnë arsyet përse Shtëpia e Bardhë po e vonon zbatimin e masave të reja kundër Moskës në një kohë kur administratës Trump i ka skaduar me disa javë afati i vendosur nga Kongresi për të identifikuar zyrtarët e lartë rusë të përfshirë në ndërhyrjet kibernetike me sfond politik.

Bob Cokrer, President i Komisionit të Jashtëm në Senat, tha: “Do t’i shkojmë verifikimeve deri në fund. Kam për ta zbuluar këtë gjë brenda 24 orëve. Do komunikoj me dikë në telefon dhe kam për ta gjetur arsyen”.

Senatori John McCain, kryetar i Komisionit të Shërbimit të Armatosur në Senat, u shpreh se administrata po vepron “sikur të ishte duke mbajtur anën e dikujt”.

Corker dhe McCain janë dy prej kritikëve më të ashpër republikanë të Donald Trump në Kongres. Shtëpia e Bardhë është gjendur nën breshërinë e zjarrit sepse afati për nisjen e procesit të vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Moskës përfundoi përpara 3 javësh e gjysmë. Argumenti i zyrtarëve të saj është se po kryhen disa rishikime dhe se ende vazhdojnë përpjekjet e identifikimit të individëve të lidhur me shërbimet ruse të mbrojtjes dhe të inteligjencës.

Shkeljen e afatit ata ia faturojnë Departamentit të Shtetit. Vonesa vjen në kohën kur Trump përgatitet të takojë për të dytën herë ballë për ballë shefin e Kremlinit, Vladimir Putin, gjatë një samiti në Vietnam dhe njoftimi i raundit të masave shtrënguese ndaj Moskës për ndërhyrjen e supozuar kibernetike të saj në zgjedhjet presidenciale përpara shtrëngimit të duarve të Presidentit me homologun e tij mund të konsiderohet i nxituar.

Top Channel