Pavarësia e Katalonjës, banorët e Barcelonës janë të pasigurtë

26/10/2017 12:13

Banorët e Barcelonës u zgjuan të enjten me ndjesinë e pasigurisë për të ardhmen, pasi Presidenti Carles Puigdemont sërish nuk e bëri të qartë nëse synon ta shpallë apo jo njënanshmërisht pavarësinë e Katalonjës.

Një pjesë e tyre shprehën zemërim dhe zhgënjim nga situata aktuale politike. Të tjerë e konsiderojnë të rëndësishme ngritjen kundër qeverisë qendrore që kërcënon të vendosë kontrollin e saj direkt.

“Gjendja është e keqe dhe më trishton e më zemëron fakti që ndihemi si të zënë në çark dhe se do të shkatërrojmë atë që kemi ndërtuar prej kaq shumë vitesh. Unë nuk jam fare pro-mëvetësisë sepse tani jetojmë në një botë globale, ndaj i gjithë ky tension politik e social më shkakton dhimbje”, thotë një banore e Barcelonës.

Ndërsa një student shprehet: “Sot në lojë është praktikisht mbrojtja e të drejtave tona, nuk shtrohet më thjesht çështja të jesh pro apo kundër pavarësisë; ne duhet ta denoncojmë qeverinë për atë që po na bën sepse nuk është e drejtë”.

E zymtë është atmosfera edhe në Madrid. Një banore tha: “Nuk e kam idenë se çfarë do të ndodhë, por seç kam një ndjesi që nuk ka për të qenë gjë e mirë dhe kjo është shqetësuese”.

Puigdemont refuzoi të mërkurën ftesën për të shpjeguar pozicionin e tij në Senat, një tregues i qartë ky i qëndrimeve të ngurta që kanë marrë të dyja palët në krizën më të rëndë politike të Spanjës që prej fundit të diktaturës së gjeneralit Franco në vitin 1975.

Ai preferoi të heshtë edhe mbi mbajtjen e zgjedhjeve të reja rajonale, një lëvizje që mund ta detyronte Madridin zyrtar t’i shtyjë planet e tij për të marrë në dorë institucionet dhe Policinë e Katalonjës.

Top Channel