Katalunja nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme

26/10/2017 17:21

Udhëheqësi i rajonit separatist spanjoll të Katalunjës shpalli vendimin e tij kundër thirrjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat mund të kishin sheshuar disi tensionet me qeverinë spanjolle.

Presidenti katalanas, Carles Puigdemont tha këtë të enjte se e kishte marrë në konsideratë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por kishte zgjedhur të mos bënte diçka të tillë, sepse nuk kishte marrë garancitë e mjaftueshme, që lëvizjet “abuzive” të qeverisë spanjolle për të marrë kontrollin e Katalunjës do të pezulloheshin.

Në një fjalim të kërkuar me urgjencë nga pallati presidencial në Barcelonë, udhëheqësi separatist tha se Parlamenti rajonal do të vendosë tashmë sesi do t’i përgjigjet planit të “pushtimit” të autoriteteve spanjolle.

Masa të paprecedenta priten të miratohen ditën e premte në Madrid, që do të çojnë në ndërhyrjen e parë të drejtpërdrejtë nga autoritetet qendrore në punët e brendshme të njërit prej 17 rajoneve autonome të vendit.

Qeveria konservatore spanjolle kishte ofruar të ndalonte marrjen e masave të jashtëzakonshme, nëse zgjedhje të reja do të mbaheshin në Katalunjë, por ishin tërhequr në momentet e fundit nga ky propozim.

Top Channel