Gjermani-Rusi, Steinmeier: Koha për marrëdhënie normale

26/10/2017 00:44

Presidenti gjerman Frank Valter Steinmeier tha të mërkurën në Moskë se kishte rënë dakord me presidentin rus, Vladimir Putin, se vendet e tyre duhet të përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet e tensionuara dy palëshe.

“Ne jemi larg atyre që quhen marrëdhënie normale. Ka ende plagë të hapura apo mosmarrëveshje, veçanërisht pas aneksimit të Krimesë dhe konfliktit në Ukrainën lindore, që janë një pengesë për marrëdhëniet tona dypalëshe”, u shpreh Frank-Walter Steinmeier, President i Gjermanisë.

Sipas tij, të dy ishin realistë për limitet e asaj që mund të arrihet në një bisedë të vetme dhe bisedime të mëtejshme nevojiten për të gjetur një mënyrë për të dalë nga spiralja negative e marrëdhënieve aktuale.

“Duhet të jetë qëllimi ynë i përbashkët sheshimi i dallimeve të viteve të shkuara me përpjekje të përbashkëta, në mënyrë që të ringremë besimin minimal”, Frank-Walter Steinmeier, President i Gjermanisë.

Vizita e parë në Rusi e një presidenti gjerman që nga 2010 vjen në një kohë kur marrëdhëniet janë tensionuar që pas aneksimit të Krimesë dhe kryengritjes separatiste të pro-rusëve në Ukrainian lindore, por edhe në vazhdë të akuzave gjermane për përzierjen e Rusisë në politikat e saj, diçka që Moska e mohon.

Steinmeier, një social demokrat që më parë ka shërbyer si ministër i jashtëm, prej kohësh ka kërkuar për një angazhim më të madh me Moskën. Partia e tij, që do të dalë në opozitë pas katër vitesh në qeverinë e koalicionit me kancelaren Angela Merkel, kërkon një zbutje graduale të sanksioneve që be ka vendosur mbi Moskën.

Ai po ashtu ka lançuar një iniciativë çarmatimi që shpreson se do ta shtyjë Moskën dhe Uashingtonin të angazhohen në bisedime për reduktimin e armëve konvencionale.

Top Channel