Azi, 46 të vdekur nga shpërthimi në fabrikën e fishekzjarreve

26/10/2017 15:07

Të paktën 46 persona kanë humbur jetën, 46 të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe 10 konsiderohen të humbur si pasojë e një seri shpërthimesh të ndodhura në një fabrikë fishekzjarresh në Indonezi.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 09:00 me orën lokale, në një kompleks industrial në lokalitetin Tangerang, në perëndim të kryeqytetit Xhakartë.

“Jemi ende duke evakuuar viktimat. Për momentin aty janë 46 trupa të pajetë”, ka deklaruar shefi i policisë lokale për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Ndërkohë, zjarri është vënë nën kontroll dhe të plagosurit janë dërguar në 3 spitale, ndërsa në vendngjarje ekspertë të policisë shkencore po bëjnë mbikëqyrjen për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit.

Autoritetet thanë se shumica e viktimave u gjetën të bllokuar në një depo mbrapa fabrikës. “Viktimat nuk njihen, janë djegur tërësisht”, tha një zjarrfikës.

Top Channel