Tetori i nxehtë kalifornian, temperatura 40 gradë në vjeshtë

25/10/2017 11:55

Për Los Angelesin, ky është një tetor i nxehtë, e banorët po përballen me temperatura të larta rekord për stinën. Erërat që fryjnë nga shkretëtira në jug të Kalifornisë shtojnë rrezikun e shpërthimit të zjarreve, të ngjashme me ato që shkatërruan pjesë të Veriut të këtij shteti në fillim të muajit.

Në pikun e tij, termometri shënoi 40 gradë Celsius, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 1909.

“Tani që po flasim, këtu jashtë është përvëlim. Isha në Las Vegas para dy javësh, edhe atje vapë e madhe. Një çmenduri”, tha Joel Stallworth, banor i Los Angeles.

“Është kaq nxehtë, sa na duhet të flemë me kondicionerin hapur në fund të tetorit. Është goxha e ndjeshme kjo për buxhetin tonë”, tha Robin Dew, banore e Los Angeles.

“Vapa arrin deri aty sa bëhet mbytëse, por i kam ca klientë të mirë që më japin ujë me copa akulli, e kjo më ndihmon të qëndroj e hidratuar”, tha Nicole Lucky, postiere.

Fronti i nxehtë që ka përfshirë zonën i detyrohet një fenomeni meteorologjik të njohur si “erërat e Santa Anas”. Ato fryjnë nga shkretëtira në perëndim, duke lëvizur drejt lindjes, e sjellin me vete në brigjet kaliforniane kushte atmosferike ekstremisht të thata e të nxehta. Afshi përvëlues pritet ta mundojë rajonin edhe për disa ditë.

Top Channel