Rrjeti pedofilëve në Brazil, arrestohen 108 persona

25/10/2017 12:52

108 persona kanë përfunduar në pranga në Brazil pas atij që cilësohet si operacioni më i madh kundër pedofilisë në Amerikën Latine. Të dyshuarit janë ndaluar në 24 rajone kryesore të vendit dhe në kryeqytetin Brazilia.

Ministri i Drejtësisë Torquato Jardim tha se të arrestuarit ishin pjesë e një rrjeti të gjerë që shpërndante përmes kompjuterëve dhe telefonëve celularë fotografi fëmijësh të mitur.

“Fotot e paligjshme i ruanin në kompjuterin e dikujt në një pjesë tjetër të vendit ose edhe jashtë kufijve. Vetëm fakti që mbanin foto të tilla apo skena pornografie reale ose të simuluara që përfshijnë të mitur mjafton për ta trajtuar këtë si krim”, tha Jardim.

Operacioni erdhi në vazhdën e një hetimi 6-mujor, në të cilin u përfshinë edhe zyrtare amerikanë dhe europianë të emigracionit. Hetuesit gjetën më shumë se 150,000 dokumente që përmbanin imazhe shqetësuese. Qasja ndaj tyre ishte realizuar përmes të ashtuquajturit “rrjet i errët”, pjesa e internetit ku nuk mbërrijnë dot shumica e motorëve të kërkimit.

Në mesin e të prangosurve kishte edhe policë të dalë në pension, nëpunës shtetërore dhe persona përgjegjës për klubet rinore të futbollit. Pedofilët, sipas ministrit Jardim, përdornin metoda të sofistikuara për t’iu shmangur hetimeve të policisë.

Operacioni ku morën pjesë mbi 1.000 efektivë, fillimisht kishte në shënjestër shpërndarjen e materialeve të paligjshme pornografike, por pas sekuestrimit të dhjetëra kompjuterëve, telefonëve celulare, CD-ve e hard disqeve zbuluan se grupi kriminal ishte përfshirë dhe në prodhimin e tyre dhe hedhjen më pas në rrjet.

Dokumentet e gjetura përmbajnë pamje fëmijësh të vegjël e deri edhe foshnjesh që abuzoheshin, ndërsa disa adoleshentë kanë denoncuar në polici vetë të afërmit të tyre.

Top Channel