Princi saudit premton: Kthehemi tek Islami i moderuar

25/10/2017 11:01

Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman kërkon rikthimin e Islamit të moderuar, të cilin e konsideron të një rëndësie kyçe për planet e tij të modernizimit të Mbretërisë së gjirit Persik.

“70% e popullsisë saudite është nën 30 vjeç – tha trashëgimtari i fronit, – dhe të gjithë këta njerëz duan një jetë ku feja të përkthehet në tolerancë”.

“Ne po kthehemi tek ajo që ishim përpara. Një vend i Islamit të moderuar, i hapur ndaj të gjitha feve, traditave dhe njerëzve nga i gjithë globi. Ne duam të kemi një jetë normale dhe nuk do t’i kalojmë 30 vitet e ardhshme të jetës sonë duke u marrë me ide destruktive. Ato do t’i shkatërrojmë njëherë e mirë”, deklaroi më tej Mohammed bin Salman.

Princi u zotua të çrrënjosë shumë shpejt çdo zhurmë ekstremizmi. Komentet e tij pasuan njoftimin për investime në nivelin e 500 miliardë dollarëve në një qytet të ri dhe një zone biznesi në veriperëndim të vendit, shumë pranë Egjiptit dhe Jordanisë.

Familja mbretërore dhe establishmenti fetar në Arabinë Saudite mbështesin një formë të ashpër të Islamit sunit, të njohur si “Vehabizëm” dhe monarku e paraqet veten si gardiani i dy vendeve më të shenjta të Islamit, kodet e të cilit mbi sjelljen dhe veshjen zbatohen në këtë shtet me shumë rreptësi.

Vitin e kaluar, princi Mohammed parashtroi një plan të gjerë për ndryshime sociale dhe ekonominë në Mbretërinë e pasur me naftë, të cilin e pagëzoi asokohe si “Vizioni 2030”. Qeveria, ndërkohë, është shprehur e gatshme të investojë edhe në sektorin e argëtimit. Në Arabinë Saudite kanë nisur të mbahen sërish koncerte dhe kinemate pritet të hapen shumë shpejt për publikun.

Top Channel