Japoni, zbardhet misteri i hajdutit ninxha. Mosha e tij habit policinë

25/10/2017 22:57

Policia japoneze ka konfirmuar se hajduti që realizonte vjedhjet e tij në Osaka është një burrë i moshës 74-vjeçare.

Pasi fytyra e tij ishte kapur nga kamerat e sigurisë pas një vjedhjeje më herët gjatë vitit, i moshuari ishte mbajtur nën vëzhgim nga forcat e sigurisë për një kohë jo të shkurtër, pikërisht për të konfirmuar dyshimet e shkaktuara nga mosha e thyer.

Atij iu vunë prangat në korrik dhe vetëm tani policia mund të thotë me plotë gojën se është ai autori i rreth 250 vjedhjeve me vlerë rreth 260 mijë dollarë.

Për më shumë se 8 vjet policia ishte vënë në kërkim të hajdutit të veshur me të zeza dhe kishte krijuar përshtypjen se kishte pasur të bënte me dikë të ri në moshë.

Por gjatë periudhës së kaluar nën vëzhgim hetuesit kishin vënë re se sjellja e burrit, që prezantohej me emrin “Ninxha i Heiseit”, ishte goxha ndryshe nga ajo e “pleqve” të zakonshëm.

Por dyshimet u kthyen në prova pikërisht gjatë mbikëqyrjes, kur 74-vjeçari kishte dalë nga shtëpia dhe kishte shkuar në një ndërtesë të braktisur për t’u veshur si ninxha.

“Ai vishte një kostum të zi dhe kishte aftësi fizike mbresëlënëse. Po të kishte qenë i ri në moshë nuk do ta kishim kapur”, tha një oficer policie, edhe ai 74-vjeç. “Unë për vete do të tërhiqem tani”, shtoi oficeri.

Top Channel