Mali i Zi u hodh në veprim e po kontrollon në mënyrë të njëanshme 8.000 hektarët e territorit të Kosovës, që pretendohet t’i kenë kaluar fqinjit perëndimor nëpërmjet marrëveshjes së firmosur nga qeveria e kaluar.
“Një dokument që nuk ka kaluar procedurat kushtetuese për të hyrë në fuqi”, shkruan “Koha Ditore”.
Sipas gazetës, dëshmitarë të zbatimit në praktikë të dokumentit, që nuk e ka statusin e marrëveshjes ndërkombëtare, janë edhe anëtarët e rinj të Komisionit shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit shtetëror.
Një ditë më parë ata ishin në terren, në kuadër të procesit të verifikimit të vijës kufitare, ku kanë parë vet sesi autoritetet malazeze ushtrojnë kontroll mbi territorin që pretendohet se i takon Kosovës.
Raporti në shtypin vendas vjen në kohën kur në Prishtinë ka mbërritur zëvendës.ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili u takua me Hashim Thaçin, ndërsa në axhendë ka edhe bisedime me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.
Zyrtari i lartë amerikan do të zhvillojë takime edhe me krerë të minoriteteve dhe përfaqësues të tjerë politikë në Kosovë. Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë të Shteteve të Bashkuara, që nga zgjedhja e institucioneve të reja qendrore të Kosovës, përkatësisht qeverisë dhe konstituimit të Kuvendit.
Përpara vizitës në Prishtinë, Yee ishte në Beograd, ku tërhoqi vëmendjen te përpjekjet e Beogradit për të ruajtur marrëdhënie të mira me Rusinë, ndërkohë që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Top Channel