Xi Jinping, lideri më i fuqishëm i Kinës që prej Mao Zedong

24/10/2017 09:10

Xi Jinping është udhëheqësi më i fuqishëm kinez që prej Mao Zedong. Partia Komuniste e Kinës votoi për vendosjen e ideologjisë së tij në Statut, duke e ngritur kështu në të njëjtin nivel me atë të Maos, themeluesit të kësaj force politike.

Vota unanime për ta përfshirë “Mendimin e Xi Jinping” në dokumentin e rëndësishëm erdhi në mbylljen e Kongresit të partisë, që është edhe takimi më i madh politik i vendit.

Xi e ka çimentuar gradualisht kapjen e pushtetit, që prej marrjes së postit në vitin 2012, e ky zhvillim shënon kulmin e forcimit të pozitave të tij.

Udhëheqës të mëparshëm i kanë parë ideologjitë e tyre t’i bashkohen Statutit partiak, por në asnjërin rast, duke përjashtuar atë të Mao Zedong, filozofitë e tyre nuk ishin përshkruar si “mendime”, gjë që qëndron në majën e hierarkisë ideologjike.

Vetëm Mao dhe Deng Xiaoping i kanë pasur emrat të bashkuar me ideologjitë e tyre, ndërkohë që edhe emri i Deng iu shtua Statutit pas vdekjes së tij.

Ideja e Xi për një “epokë të re” të socializmit me karakteristika kineze është mënyrë e partisë për të treguar se bota po shikon kapitullin e tretë të Kinës moderne. I pari ishte ai i Maos, që bashkonte vendin pas shkatërrimit nga lufta civile. I dyti, pasurimi në epokën e Deng Xiaoping. Ndërsa epoka e re ka të bëjë me unitetin, mirëqenien, disiplinimin brenda kufijve dhe forcimin e Kinës në rrafshin ndërkombëtar.

Vendosja e mendimit të Jinping në Statut nënkupton se rivalët tani nuk e sfidojnë dot njeriun e hekurt të Kinës, pa kërcënuar sundimin e Partisë Komuniste.

Top Channel