Shifrat e xhihadistëve të kthyer alarmojnë autoritetet

24/10/2017 17:50

Disfatat e pësurara në Irak dhe Siri kanë detyruar kthimin në vendet e tyre të origjinës, të të paktën 5.600 mbështetësve të të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Shifra njoftohet përmes një raporti të ri të Qendrës “Soufan”, një “think-tank” me bazë në Shtetet e Bashkuara. Siç thuhet aty, 33 shtete kanë raportuar mbërritjen e militantëve përgjatë dy viteve të fundit.

Raporti thotë se të kthyerit, shumica e të cilëve janë burgosur ose zhdukur nga vëmendja publike, do të vazhdojnë të përfaqësojnë një sfidë për sigurinë gjatë viteve në vazhdim.

Shteti Islamik ka humbur shumicën e territorit, që dikur përbënte kalifatin e vetëshpallur në qershor të vitit 2014, duke joshur mijëra xhihadistë nga e gjithë bota.

Rikuperimi i të dhënave pas rënies së qendrave administative të Shtetit Islamik, përfshirë bastionin Raqqa, ka ndihmuar në identifikimin e 19 mijë, prej më shumë se 40 mijë luftëtarëve të huaj nga 110 vende, që vlerësohet të kenë shkuar në Irak e Siri, për t’iu bashkuar grupit xhihadist.

Duke cituar të dhëna të siguruara nga autoritetet në 33 shtete, Qendra “Soufan” njofton se të paktën 5.600 luftëtarë të huaj besohet të jenë kthyer në vendet e tyre, mes të cilëve 400 rusë, 760 shtetas të Arabisë Saudite, 800 tunizianë e 270 francezë.

Në vendet e BE-së rezulton të jenë kthyer 1.200 militantë gjithsej. Sipas raportit, 90 shqiptarë u janë bashkuar militantëve në frontet e luftës, e deri më tani nuk rezulton të ketë persona të kthyer, ndërsa nga 317 kosovarë që kanë luftuar në Siri e Irak, 117 janë kthyer.

Shifrat kanë alarmuar autoritetet e vendeve të prekura, pasi besohet se shumë prej të kthyerve mbeten ende të përkushtuar ndaj xhihadit të dhunshëm. Ata mund të jenë veçanërisht të ekspozuar për t’u kontaktuar nga pjesëtarë të rrjetit që i rekrutoi ata.

Top Channel