Francë, quajnë fëmijën Xhihad. Prindërit, në gjyq

24/10/2017 19:35

A është e pranueshme ta quash fëmijën Xhihad në shtetin francez, të goditur nga sulmet më të rënda në Europë vitet e fundit?

Kjo është pyetja, së cilës duhet t’i japë përgjigje drejtësia franceze, pasi autoritetet në Toulouse raportuan rastin e një çifti që kishte zgjedhur ta quante djalin pikërisht kështu.

Gjykatësi francez për çështjet familjare mund të vendosë për çështjen ligjore në fjalë. Xhihad, në gjuhën arabe nënkupton përpjekje ose betejë, e jo tamam “luftë e shenjtë”.

Ligji francez nuk kufizon zgjedhjet e emrave dhe në Francë, fëmijë të tjerë janë quajtur kështu në të kaluarën, por ndjeshmëria e opinionit publik pas sulmeve terroriste ka bërë që rasti të trajtohet ndryshe.

Termi xhihadist përdoret përgjithësisht për të përshkruar militantët islamik, të tillë si ata që ndërmarrin sulme në emër të Shtetit Islamik. Që prej fillimit të vitit 2015, militantët islamikë kanë vrarë më shumë se 230 persona në Francë, ku gjendja e emergjencës vazhdon të jetë në fuqi.

Në vitin 2013, një nënë në qytetin Nimes u dënua me 1 muaj burg dhe një gjobë prej 2.000 eurosh, pasi dërgoi në shkollë djalin e saj të quajtur Xhihad, me një bluze ku lexohej “Unë jam një bombë” dhe “Xhihad, i lindur më 11 shtator”. Dënimi u dha për bluzën provokuese, e jo për emrin Xhihad.

Top Channel