Veneto voton autonominë. Roma, e gatshme për negociata pa taksat

23/10/2017 08:37

Rajoni italian i Venetos zgjodhi autonominë. Pjesëmarrja ishte në nivelin 60% dhe guvernatori i tij, Luca Zaia është i kënaqur me rezultatin e votimit: 98.1% pro, i cili e kapërceu shumë më tepër se ç’duhej 50-përqindëshin e nevojshëm, që referendumi të konsiderohej i vlefshëm.

Më pak të interesuar u shfaqën votuesit në Lombardi, ku pjesëmarrja nuk shkoi më shumë se 40 për qind. Por, këtu nuk parashikohej sidoqoftë kuorumi dhe lideri legist, Roberto Maroni e kishte bërë të qartë që përpara se do të kënaqej dhe me një kuotë më të lartë sesa 34%.

Lombardia nuk ka arritur ta nxjerrë ende një rezultat zyrtar të votimeve, megjithatë, paraprakisht flitet për një triumf të kampit “po” në masën 95.29%. Ankesat për vonesën u lidhën me mungesën e efikasitetit të sistemit të votimit. Faji iu faturua mbledhjes së të dhënave nga “voting machine”, të përdorura në rajon për herë të parë.

Në të dyja rastet, përfundimi është pak a shumë siç parashikohej dhe sinjali politik u dërgua. Niveli i pjesëmarrjes është më i lartë nga sa pritej dhe nga sa u profetizua deri në momentet e fundit përpara votimit.

Ky sinjal nuk ra në vesh të shurdhër. Roma zyrtare reagoi përmes zëvendësekretarit të Çështjeve Rajonale, Gianclaudio Bressa, i cili një orë përpara mbylljes së qendrave të votimit deklaroi se ekzekutivi italian është i gatshëm për negociata.

Modeli do të jetë, sipas gjasave, ai i eksperimentuar me Emilia Romagnan, edhe pse në rastin e saj ngërçi me qeverinë qendrore ishte zgjidhur pa kaluar në referendum. Votimet u organizuan nga Maroni dhe Zaia, që ankohen se Veriu po paguan edhe për Jugun e varfër të vendit, e duan më shumë fuqi mbi tatimet, por ndonëse shprehet e hapur për bisedime, Roma e tha prerazi se taksat nuk janë të negociueshme.

Top Channel