Tajfuni “Lan” godet Japoninë, të paktën 3 viktima

23/10/2017 11:55

Tajfuni “Lan” shkaktoi 3 të vdekur e disa të plagosur në Japoni, brigjet jugore të së cilës i goditi me erëra të fuqishme e shira të dendur, e po i mban nën kërcënimin e përmbytjeve masive dhe rrëshqitjeve të tokës.

“Lan” po lëviz me shpejtësi drejt verilindjes – thonë ekspertët, – ndërsa erërat e tij prej 165 kilometrash në orë e bëjnë të cilësohet si stuhi e kategorisë së dytë.

Mbi 200 mijë vetë kanë marrë urdhrin për evakuim, njofton Agjencia vendase e Menaxhimit të Zjarreve dhe Fatkeqësive natyrore, ndërsa 2.2 milionë familje janë këshilluar të përgatiten për të lënë banesat.

Në Fukuoka, qytet i prefekturës jugore Kyushu, një 63-vjeçar u vra nga rrëzimi i një skele; një peshkatar humbi jetën ndërsa kujdesej për varkën e tij, ndërsa një burrë vdiq në shtëpinë e tij të goditur nga një rrëshqitje dheu.

Tajfuni aktualisht po dobësohet, megjithatë Tokio pritet të përballet me forcën e fundit të erërave dhe rrebesheve të stuhisë. Pjesë të ndryshme të vendit kanë regjistruar deri tani reshje rekord prej më shumë se 500 millimetrash shi vetëm gjatë 72 orëve të fundit, ndërsa në ishullin e Hokkaidos, “Lan” solli borën e parë.

Mediet lokale flasin për qindra shtëpi në perëndim të Japonisë të përmbytura nga uji. Të hënën, 350 fluturime u anuluan prej stuhisë, ndërsa një ditë më parë ishin pezulluar dhe 500 të tjera. Ka raporte edhe për trena pasagjerësh të bllokuar gjatë natës, për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike, ndërsa probleme të mëdha hasën gjithashtu shërbimet e trageteve.

Top Channel