Një diamant, në këmbim të përmirësimit të jetesës

23/10/2017 14:09

I ashtuquajturi “diamant i paqes” i Sierra Leones, del në ankand në Nju Jork pas dy muajsh, e prej parave të siguruara prej tij do të përfitojnë banorët e vendit të tij të origjinës.

Njoftimi vjen disa muaj pasi qeveria e Sierra Leones refuzoi ofertën 7.8 milionë dollarëshe për gurin e çmuar 709-karatësh, diamanti i 14 më i madh i botës, me argumentin se nuk përputhet me vlerësimin e saj.

Guri i paprerë, në përmasat e një veze, u prezantua përpara pak ditësh në Izrael e do të ekspozohet edhe në Bruksel, si pjesë e një turneu promocional përpara se të bjerë për të çekiçi i ankandit.

“Për ne, sfida më e madhe është t’i ndërgjegjësojmë njerëzit mbi domethënien e veçantë të diamantit të paqes. Ai nuk është si diamantet e tjerë, sepse nga ky gur do të përfitojnë dhjetëra mijëra njerëz që jetojnë në varfëri ekstreme. Po flasim për njerëz që nuk kanë ujë të pijshëm, nuk kanë energji elektrike, shkolla, qendra mjekësore, apo edhe ura që t’i ndihmojnë ata të lënë fshatin e tyre gjatë sezonit të shirave. Ky diamant është shumë special, pikërisht për shkak të impaktit që do të ketë”, tha Martin Rapaport, presidenti i grupit përgjegjës të ankandit.

Rapaport thotë se, grupi nuk do të fitojë gjë vet dhe uron që veprimi i tij të shërbejë si frymëzim për shitje të tjera të këtij lloji, të cilat të ndihmojnë njerëzit e varfër të vendeve ku janë gjetur gurët e çmuar.

Më shumë se 50% e parave që do të nxirren nga “diamanti i paqes” do të shkojnë për ndërtimin e ujësjellsave, linjave elektrike, shkollave, strukturave mjekësore e rrugëve në Sierra Leone, e investimet do të fokusohen sidomos në fshatin Koryardu, ku u gjet diamanti gjigant.

Top Channel