Meksikë, festohet “La Catrina”. I paraprin “Dia de Muertos”

23/10/2017 10:49

Me kostume e fytyra të ngjyrosura, meksikanët u shndërruan në skeletet e famshme të njohura si “La Catrina” apo “kafka elegante”, e mbushën rrugët e Mexico Cityt në ditën që paraprin paradën e të vdekurve.

“Katrina” u krijua nga Jose Guadalupe Posada, karikaturisti i njohur vendas i fillimit të viteve 1900, puna e të cilit pati ndikim të madh mbi artistët e Amerikës Latine, për shkak të satirës therëse dhe angazhimit politik.

Shfaqja paraprin “Ditën e të vdekurve”, një traditë prehispanike me të cilën familjet kujtojnë ata që nuk janë më dhe kremtojnë vazhdimin e jetës. Meksikanët ofrojnë zakonisht në një kohë të tillë dhurata për të vdekurit, që përfshijnë fotografi, ushqime, qirinj, lule, sende personale, kafka të bëra me sheqer, skelete prej letre dhe ëmbëlsira.

“Bëhet fjalë për një festë shumë të vjetër, ndërsa sot të rinjtë tërhiqen më shumë nga ‘Halloween’-i. Ndaj është e rëndësishme për kulturën meksikane, që ne të vazhdojmë ta ndjekim këtë traditë”, tha Itzel Flores, pjesëmarrëse në paradë.

“Mendoj se është shumë interesante dëshira për ta transfomuar diçka aq të rëndë sa vdekja, në një gjë të gëzuar, festive e me kaq shumë ngjyra. Vetëm në Meksikë mund të ndodhë kjo”, tha Sully Martinez, pjesëmarrëse në paradë.

“Dia de Muertos” gërsheton ndikimin spanjoll me adhurimin indigjen në Amerikën e Jugut, e kremtohet sidomos te popullatat me shumicë autoktone, si Meksika, Guatemala, Peruja, Bolivia dhe Ekuadori.

Top Channel