Madrid, protesta në mbështetje të Katalunjës

23/10/2017 10:57

Qindra vetë u mblodhën në Madrid për të shprehur mbështetjen ndaj Katalunjës, e në thirrjet e tyre u bënë jehonë edhe komenteve për “grusht shteti” të organizuar nga qeveria e Mariano Rajoyt.

Vendimi i Madridit zyrtar për të vendosur kontrollin e drejtpërdrejtë mbi rajonin e pashtruar autonom pritet të marrë “dritën jeshile” të Senatit të premten, me propozimin për zgjedhje të reja lokale.

Tubuesit në sheshin ikonë të kryeqytetit spanjoll, “Plaza del Sol”, e konsiderojnë të padrejtë një lëvizje të tillë.

“Ata po heqin të drejtën e të protestuarit. Po arrestojnë njerëz vetëm sepse dalin në tubime, ndërkohë që persona të përfshirë në skandale të rënda, si Inaki Urdangarin, bashkëshorti i princeshës Kristina, apo ish-kreu i FMN-së, Rodrigo Rato, enden të lirë nëpër rrugë. Praktikisht po na heqin të drejtat tona. Le t’i lënë vet katalanasit të vendosin”, tha Pilar, banore e Madridit.

“Zbatimi i nenit 155 mbi Katalunjën shkel të drejtat e çdo qytetari të shtetit spanjoll, sepse në këtë vend, njerëzit kanë të drejtën të vendosin vet”, tha Manuel Lopez, banor i Madridit.

Vendimi i Spanjës për ta vënë Katalunjën nën sundimin e saj mund ta shtyjë presidentin Carles Puigdemont të shpallë këtë javë pavarësinë, ndërsa beteja separatiste tani po kthehet në mllëf personal.

“Asgjë prej këtyre që po ndodhin nuk është pjesë e planeve tona”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë rajonale Jordi Turull, i cili hodhi poshtë idenë e një zgjidhjeje të ngërçit me zgjedhje të parakohshme.

Deklarata e mëvetësisë, e nënshkruar por e lënë pezull nga Puigdemont, mund ta hedhë forcën rajonale policore “Mossos d’Esquadra” kundër mijëra pjesëtarëve të Gardës Civile dhe policisë kombëtare të dërguar në Katalunjë.

Nuk është çudi që me ta të bashkohen edhe mjaft nëpunës, ndërsa përkrahësit e mëvetësisë paralajmërojnë mosbindje civile masive.

Top Channel