Slloveni, votohet për presidentin e vendit

22/10/2017 12:59

Sllovenët u janë drejtuar kutive të votimit në zgjedhjet presidenciale, me presidentin në detyrë Borut Pahor që kërkon mandatin e dytë pesëvjeçar të tij, përballë 8 kandidatëve të tjerë.

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se Pahor, i cili kandidon si i pavarur dhe thotë se misioni i tij kryesor është të bëjë njerëzit bashkë, do të fitojë më shumë vota, por çështja mbetet nëse do të ketë nevojë për një raund të dytë balotazhi, apo jo.

Nëse asnjë kandidat nuk do të fitojë më shumë se 50 për qind të votave, në raundin e parë, dy kandidatët që renditen të parët do të kalojnë në një raund të dytë, më 12 nëntor.

Edhe pse roli është kryesisht ceremonial, presidenti udhëheq ushtrinë dhe emëron zyrtarët më të lartë të vendit, përfshirë guvernatorin e Bankës Qendrore. Pjesa më e madhe e të zgjedhurve të tij, sidoqoftë, duhet të konfirmohen nga Parlamenti.

Zgjedhjet shihen edhe si një tregues i mundshëm i mbështetjes për partitë politike, para zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen në qershor apo korrik të vitit të ardhshëm.

Top Channel