Lombardia e Veneto, referendum për më shumë autonomi

20/10/2017 18:31

Ndërkohë që përpjekja për pavarësi e Katalunjës po dominon në politikën e kontinentit të vjetër, të tjera tentativa jo për pavarësi, por për më shumë autonomi do të konkretizohen të dielën.

Dy prej rajoneve më të pasura të Italisë do të mbajnë referendume për më shumë autonomi, në përpjekjen më të fundit të rajoneve europiane për të marrë më shumë pushtet nga qeveria qendrore.

Lombardia dhe Veneto, që së bashku mbajnë një të katërtën e popullatës së Italisë, kërkojnë gjysmëautonomi, gjë që u jep atyre kontroll të financave dhe administratës. Edhe pse jo të imponueshme ligjërisht, rezultatet shënojnë episodin më të fundit të një serie votimesh për më shumë autonomi në Europë, vitet e fundit, nga Skocia në vitin 2014 e deri te “Brexit” vitin e kaluar, apo Katalunja në shtator.

Edhe pse të dyja rajonet italiane, në të shkuarën kanë kërkuar pavarësi të plotë nga Roma, krerët e tyre kanë bërë të qartë se votimi ka të bëjë me autonominë dhe jo me ndarjen. Dinamikën e shpjegon më së miri Sappada, një qytet malor në Veneto, në kufi me Friuli-Venezia Gulia. Një parajsë malore, qyteti do të bëhet i pari në Itali që ndërron rajon, për t’u bërë pjesë e Friuli-Venezia Giulias, një prej 5 rajoneve gjysmëautonome të Italisë.

Plani është miratuar nga qeveria italiane në shtator, pas një procesi të gjatë burokratik. Një nga arsyet që banorët duan të jenë pjesë e Friulit është gjuha, që e ka origjinën nga Gjermania, dhe kultura. Por, më kryesorja është ekonomia. Në një rajon gjysmëautonom, financat kontrollohen më mirë, ka një shërbim më të mirë shëndetësor dhe investimet janë të vazhdueshme, e gjithçka rezulton në një standard më të mirë jetese.

Kjo është ajo lloj lirie që kërkojnë edhe Veneto dhe Lombardia. Rajonet drejtohen nga guvernatorë të Ligës së Veriut, parti e së djathtës ekstreme. Teknikisht vota popullore, që kushton më shumë se 55 milionë euro, është e panevojshme.

Kushtetuta italiane lejon secilin rajon të kërkojë të shtojë fuqitë, përmes dialogut me qeverinë qendrore, pa pasur nevojë për një votë publike. Emilia-Romagna, një rajon verior i udhëhequr nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, ka nisur të mërkurën një proces të tillë. Por zyrtarët në Veneto dhe Lombardi thonë se përpjekjet për dialog me Romën janë injoruar dhe referendumi është rruga e vetme e mbetur.

Top Channel