Në dosjen “Habilaj”, me 416 faqe, autoritetet italiane kanë zbardhur përgjime gjatë të cilave Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtori i tij Sabaudin Çelaj flasin për disa dhurata që janë blerë për bashkëshorten dhe nënën e një personi të quajtur Saimir.
Në dosje specifikohet se bëhet fjalë për Saimir Tahirin, në atë kohë ministër i Brendshëm. Biseda është përgjuar në 16 dhjetor të vitit 2013 dhe hetuesit italianë bëjnë një përmbledhje të saj.
“Moisiu futet në makinë dhe i tregon Sabit se kishte marrë dy byzylykë, njërin për nusen e Saimirit dhe tjetrin për nënën e tij. Sabi e pyet nëse kishin kushtuar shumë”.
Rrjeti i trafikut të drogës i kontrolluar nga Habilajt, morën një goditje të rëndë me 13 maj të vitit 2015 kur u kap peshkarexha “Fatima”, e cila po transportonte 900 kilogramë hashash.
Policia italiane e përgjonte prej disa muajsh çdo bisedë që bëhej në të.
Më 6 maj të 2015, dy shtetas italianë me emrat Xhuliano dhe Greko, ndërsa peshkarexha ishte nisur drejt Porto Palermos për t’u ngarkuar me hashash, dy bashkëpunëtorët e Habilaj qetësonin njëri-tjetrin duke thënë se Habilaj kishte njeriun e tij në sallën e kontrollit të radarëve në Shqipëri.
1: E pe furgonin e policisë që kaloi?
2: Pak përpara…?
1: Janë të gjithë tanët këtu.
2: Por nëse ka ndonjë legen nuk i dihet.
1: Ai më mori në telefon, sepse është salla… si thuhet?…salla është në portin tjetër, në kryeqytet… atje ku janë… dhe me kontrollon çdo gjë… ai sheh edhe peshqit që atje.. sepse është miku i një mikut tonë.
2: Po si ka mundësi?
1. Sepse e kanë pyetur ‘ç’është kjo anije’? dhe ai është përgjigjur ‘cila anije?
2. Po si ka mundësi që ka hyrë në ujërat territoriale greke?
Biseda e përgjuar vijon me udhëzimet që i jepen dy italianëve që të fikin transponderin, pajisjen që tregon vendndodhjen e mjetit lundrues.
Si dhe të bëjnë kujdes me lëvizjet në ujërat territoriale me Greqinë.
Te peshkarexha “Fatima” ka shkuar edhe vetë Habilaj, i cili është regjistruar duke biseduar me dy italianët.
Gjithçka është përgjuar nga policia italiane, e cila e la peshkarexhën të vijonte rrugën drejt Sicilisë dhe më pas e kapi atë me 13 maj, duke arrestuar 9 anëtarë të grupit.
Top Channel