Sassuolo pushtohet nga një infeksion bakterial, 5 futbollistë të izoluar nga grupi, situata në prag të ndeshjes me Juventusin
“Euro 2004” nuk mund të harrohet lehtësisht nga tifozët “axurr”. Atë edicion, Italia do të eliminohej që në fazën e grupeve, edhe pse nuk kishte humbur asnjë takim. Shkaku? Rezultati 2-2 mes Danimarkës e Suedisë…
Italia do të barazonte në përballjen e parë të grupit me Danimarkën (0-0), e më pas do të ndalej sërish në barazim 1-1 me Suedinë, me Ibrahimoviçin që do të vinte barazpeshën në minutat e fundit me një gol të mrekullueshëm. Këto rezultate e bënin të detyrueshme, që “axurrët” të mposhtnin në ndeshjen e fundit në grup Bullgarinë, për t’u ngjitur në kuotën e 5 pikë e për t’u kualifikuar.
Por, pavarësisht se mposhti bullgarët me një gol në fund nga Cassano, pasi ishin gjendur fillimisht në disavantazh, kombëtarja e drejtuar nga Trapattoni do ta kishte të kotë. Kjo sepse Suedia e Danimarka, të cilat kishin grumbulluar nga 4 pikë përpara “derbit” nordik, barazuan me rezultatin 2-2, i vetmi që u jepte atyre mundësi të ecnin përpara dhe të ndëshkonin Italinë.
Ky rezultat është rikujtuar sërish sot, vetëm pak pas hedhjes së shortit të “play off”-eve që do të japin edhe 4 bileta nga zona e Europës për në Botërorin “Rusi 2018”, sigurisht nga tifozët italianë, që kanë “pushtuar” rrjetet sociale.
Pas 13 vitesh, Italisë i duhet të hakmerret ndaj Suedisë. Tifozët flasin për hakmarrje të plotë, pasi një të pjesshme e kanë arritur që në Europianin e 2016-s, gjatë të cilit Italia e drejtuar nga Conte shkoi deri në çerekfinale, me vendin e parë në grup për “axurrët”.
Top Channel