Ditën e enjte në “Elbasan Arena”, Skënderbeu do të përballet me Partizanin e Beogradit, një ndeshje e vlefshme për fazën e grupeve të Europa League.
Megjithatë, jo gjithçka flet për sport në këtë 90-minutësh. Presidenti i korçarëve, Ardjan Takaj, në një intervistë për Top Channel zbulon marrëveshjen me skuadrën serbe për të lënë jashtë tifozët e skuadrave udhëtuese në të dyja këto takime.
“Do të jetë vetëm delegacioni i tyre me rreth 50 veta, ashtu siç do të jetë edhe i joni në Beograd. Kjo duhet trajtuar vetëm si një ndeshje futbolli. Nuk na lejohet t’i japim nota nacionalizmi dhe duhet të tregojmë qytetarinë dhe kulturën tonë”, tha Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj.
Paraditen e së hënës, presidenti Takaj ka pasur edhe një takim me ambasadorin serb në Tiranë, i cili ka kërkuar që të merren të gjitha masat nga pikëpamja organizative për mbarëvajtjen e ndeshjes.
Gjithashtu, UEFA ka vendosur që të sjellë dy oficerë sigurie për këtë takim. Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit do të marrë përsipër sigurinë dhe skanimin e të gjithë tifozëve që do të pajisen me bileta.
“UEFA ka një vëzhgim shumë të rreptë dhe ka shumë kërkesa për këtë ndeshje. Do të jenë dy policë të UEFA-s që do të jenë edhe kryesorët për ta vëzhguar shumë nga afër këtë takim”, shprehet Takaj.
Por presidenti Takaj ka edhe objektivin sportiv për këtë takim, që është fitorja e parë në fazën e grupeve të Europa League.
“Në grupin tonë, ne jemi me 1 pikë, Young Boys ka 2 dhe 6 ka Dinamo e Kievit dhe në rast se ne fitojmë, na rriten shumë shanset që ne të kalojmë grupin dhe kjo është një nga objektivat e momentit”, thotë Takaj.
Top Channel