Katalunjë, pritet fjalimi i shtyrë i Puigdemont

10/10/2017 00:00

Një fjalim kyç i presidentit katalanas, Carles Puigdemont, për shpalljen e pavarësisë nga Spanja, pritet të mbahet tani pasi u shty për një orë. Ai mbërriti rreth orës 17:00 në Parlamentin rajonal të Katalunjës, por u detyrua të thërriste mbledhjen e grupit parlamentar mbi kërkesën e opozitës për anulimin e mëvetësisë.

Fjalimi që do të adresojë shkëputjen, edhe pse nuk dihet se çfarë do të thotë Puigdemont, pritet të pasohet nga një votim për shpalljen e pavarësisë nga Spanja. Gjë që do të shkaktojë padyshim një përplasje të ashpër me qeverinë spanjolle, që ka deklaruar se çdo deklaratë e njëanshme pavarësie do të ishte e paligjshme dhe e pavlerë.

Referendumi kontrovers i 1 tetorit u pasua nga protesta masive dhe të dhunshme mes policisë kombëtare dhe demonstruesve. Madridi thotë se votimi ishte i paligjshëm dhe ka premtuar të bllokojë çdo lëvizje të mëtejshme drejt shkëputjes së rajonit të pasur verilindor të vendit. Për këtë arsye, policia katalanase ka rrethuar Parlamentin në Barcelonë, duke mbyllur të gjitha hapësirat për publikun.

Vetëm pak minuta më parë, presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk u radhit mes zërave që nxisin Puigdemontin të mos e shpallë pavarësinë. Në komentet e tij të fundit mbi këtë krizë, udhëheqësi i BE-së tha se pasojat do të ishin “padyshim të këqija për katalanasit, për Spanjën dhe për të gjithë Europën”.

“Na lejoni të shohim gjithnjë gjërat që na bashkojnë e jo ato që na përçajnë. Kjo është vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë”, ka thënë Tusk.

Por, nga ana tjetër, është kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon, që ka dalë në mbështetje të pavarësisë së Katalunjës. Kjo pasi, e ardhmja e këtij rajoni është veçanërisht nën interesin e Skocisë, që zhvilloi një referendum të ngjashëm në vitin 2014, me ndryshimin se atje ishte i bazuar në ligjet e Britanisë së Madhe.

Sturgeon gjithsesi bëri thirrje për dialog, e tha se “ka ardhur koha që qeveria spanjolle të ulet me qeverinë katalanase”.

“Është koha për bisedime mes tyre për të gjetur një rrugëzgjidhje. Një rrugë që do të respektojë sundimin e ligjit, sigurisht, por që do të respektojë gjithashtu edhe demokracinë dhe të drejtat e popullit të Katalunjës për të vendosur mbi të ardhmen e tyre”.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel