Radarët e fikur, L. Rama: Prokuroria, organ i vetëm hetimi

21/09/2017 00:00

Nënkryetari i LSI-së Luan Rama ka reaguar në një postim në Facebook lidhur me mosfunksionimin e sistemit të radarëve në vëzhgimin e hapësirë sonë detare, ku shpreh shqetësim për mosreagimin e Prokurorisë.

“Radarët të fikur, trafikantët në punë, shteti fle gjumë!…”, e nis Rama statusin e tij, duke u shprehur se pavarësisht se ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka deklaruar se do të nis një proces investigimi, është Prokuroria organi i vetëm që heton.

Statusi i plotë i Luan Ramës:
Megjithëse po bëhet një muaj që prej denoncimit publik të faktit se sistemi i radarëve të vëzhgimit të hapësirës tonë detare nuk funksionon, ç’ka ka çuar, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Haki Çako në dështimin e operacioneve të Policisë së Shtetit për bllokimin e trafikimit të drogës përmes detit, ende nuk ka një reagim zyrtar e të përgjegjshëm nga Prokuroria në lidhje me këtë çështje!
Radarët të fikur, trafikantë në punë, shteti fle gjumë!
E në përpjekje për ta “prishur” këtë trinitet kriminal, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u shpreh para disa ditësh: “garantoj se do të nisë një proces investigimi për këtë çështje!”
Pa e vënë në dyshim as vullnetin dhe as vendosmërinë e zotit ministër, deklarata e tij ka një nonsens, sepse nuk mund ta nisë ai hetimin e kësaj çështjeje, pasi nuk ka asnjë tagër ligjor! Përveç kësaj, për sa kohë dimë që pas shqetësimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pati një reagim nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes që hidhte poshtë pretendimet e tij, presupozohet që edhe vetë Policia e Shtetit të jetë subjekt nën hetim po aq sa QNOD-ja dhe vetë Ministria e Mbrojtjes.
Organi i vetëm që mund të investigojë e të hetojë sipas ligjit është Prokuroria, jo Ministria e Brendëshme, aq më tepër po të kemi parasyshë që QNOD-ja ku është Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare është nën autoritetin e Ministrisë së Mbrojtjes!
Një gjë është e qartë: ka mungesë të bashkëveprimit ndëroperacional midis dy ministrive, gjë që ka çuar në krijimin e kushteve të favorshme për ushtrimin e veprimtarisë kriminale të trafikut të lëndëve narkotike!
Këtu duhet të investohet Prokuroria!
Në fakt duhej të ishte investuar që në çastin kur u bë publik shqetësimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit! Por, meqenëse nuk ka asnjë lajm nga Prokuroria se ka nisur qoftë edhe kryesisht hetimin e këtij skandali me pasoja kriminale, Ministri i Brendshëm mund ta zgjojë Prokurorinë, duke e denoncuar çështjen zyrtarisht në organin e akuzës!

Top Channel