Prishja e ndërtimeve pa leje, LSI: MSH, si drejtori komunale

20/09/2017 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim ka përdorur nota kritike ndaj njoftimit të një dite më parë të ministres së Shëndetësisë, që paralajmëronte prishjen e ndërtimeve pa leje në zonat përreth strukturave mjekësore.

“Ministrja e Shëndetësisë tha se filloi të prishë ndërtimet pa leje nëpër spitale. Pra e filloi nga këtu, ndonëse ky nuk ishte në asnjë pikë të programit të qeverisë për shëndetësinë”, ka deklaruar Petrit Vasili, sipas të cilit MSH po vepron si një drejtori komunale.

“Në 2013-n kryeministri, me bujurdi të madhe, si dhe ministri i Shëndetësisë, mbytën televizionet dhe shqyen fytin duke thënë se i spastruan spitalet nga ndërtimet pa leje. Kush është fajtori që qenkan ndërtuar prapë gjatë 2013-2017, apo u desantuan nga diku larg? Apo kryeministri iku për turizëm dhe nuk di gjë as për këtë?”, shprehet Vasili.

Sipas tij, ndërtimet pa leje janë i njëjti “refren qesharak” për shëndetësinë në çdo fillim mandati.

“Është e qartë që s’ka asnjë vizion për shëndetësinë, s’ka strategji, ka vetëm mediokritet antimjekësor dhe thellim të qorrsokakut ku ajo ka hyrë. Ky është shndërrimi i Ministrisë së Shëndetësisë në një drejtori komunale”, ka shtuar Vasili.

Top Channel