Ligji kundër simboleve të komunizmit, Basha takon Gloss

20/09/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me drejtorin e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri, Walter Gloss.

Takimi kishte si qëllim bashkëpunimin dhe ekspertizën gjermane në hartimin e ligjit për ndalimin e simboleve të komunizmit.

Sipas një njoftimi nga selia blu, Gloss shprehu angazhimin e Fondacionit për të ndihmuar në këtë iniciativë të ligjvënësve të Partisë Demokratike.

Ndërsa kryetari Basha, nga ana e tij vuri në dukje se PD do të ndërmarrë një proces të gjerë konsultimi dhe bashkëbisedimi me të përndjekurit politikë dhe të gjithë faktorët shoqërorë për të pasqyruar shqetësimet dhe sugjerimet e tyre në këtë projektligj.

Një ditë më parë, grupi parlamentar demokrat vendosi ngritjen e grupit të punës të kryesuar nga nënkryetari Enkelejd Alibeaj, për hartimin e një projektligji për këtë qëllim.

Ndërkohë, në njoftimin për shtyp thuhet gjithashtu se Partia Demokratike dhe Fondacioni Konrad Adenauer do të bashkëpunojnë për të tërhequr ekspertizën gjermane edhe në procesin e modernizimit të Partisë Demokratike.

“PD do të nisë një proces analize dhe konsultimi me anëtarësinë për ti paraprirë ndryshimeve statutore që do të mundësojnë rritjen e rolit të anëtarësisë në vendimmarrje”, vijon njoftimi.

Top Channel