Ligji i mbetjeve, Vasili: Tërheqja nga PS nuk mund të bëhet

20/09/2017 00:00

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili në një bashkëbisedim me gazetarët tha se Partia Socialiste nuk mund ta tërheqë juridikisht ligjin e mbetjeve, pasi tashmë është ligj i votuar dhe jo i propozuar.

“Ka sot një nismë të re të artikuluar nga kreu i grupit të PS që tërheq dy projektligje një prej tyre është ligji i mbetjeve dhe i dekoratave. Nuk kemi të bëjmë me pr/ligj për mbetjet, por kemi të bëjmë me ligj. Pra Kuvendi i Shqipërisë për këtë çështje është shprehur me votë. Që nga ky moment po themi pronësia politike e propozuesve qofshin deputetë apo qeveri, ka rënë. Ka vetëm një moment procedurial që Presidenti ka kthyer ligjin dhe i ka dhënë një mundësi të re mazhorancës të reflektojë. Detyra e mazhorancës fillon me shqyrtimin e dekretit të Presidentit dhe më tutje të ecë përpara. Nuk ka asnjë mundësi juridike që PS të tërheqi, nuk është pr/ligj, por është ligj. Këtu ka një rol të vecantë për të bërë rojtarin korrekt të rregullores, kryetari i Kuvendit. Nëse Ruçi do të pranonte një dhunim të tillë skandaloz të rregullores ky do të ishte fundi i Parlamentit”, u shpreh Vasili.

Top Channel