Basha-Fleckenstein: Reformë zgjedhore dhe sistemit politik

19/09/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputetin Knut Flekenstein. Ai ndau me të shqetësimet e aktualitetit politik dhe te situatës post-zgjedhore në Shqipëri.

“Këto zgjedhje treguan se kauzat tona për dekriminalizimin, luftën kundër drogës dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme janë kauzat më jetike sot për vendin”, tha Basha.

Basha vuri në dukje faktin se tashmë janë edhe shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet europiane që po evidentojnë me forcë problemin e kultivimit dhe trafiqeve të drogës në Shqipëri; si dhe rritjen e krimit të organizuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e BE-së.

Ai theksoi se Partia Demokratike ka bërë një luftë të hapur ndaj kanabizimit të Shqipërise në 4 vitet e fundit dhe nënvizoi se situata nuk do të ishte e tillë sot nëse do të kishte patur më shumë vemendje dhe qëndrime të qarta nga institucionet ndërkombëtare.

“Në zgjedhjet e fundit përfshirja e krimit të organizuar dhe parave të drogës prodhoi një mazhorancë fiktive që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, tha më tej Basha.

Ndaj në këto kushte, vijoi ai, reforma zgjedhore është një domosdoshmëri. “Reforma zgjedhore është hapi i parë për adresimin e disa prej këtyre problemeve, në veçanti përmes votimit dhe numërimit elektronik dhe identifikimit biometrik të zgjedhësve. Këto ndryshime janë thelbësore për fatin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe minimizimin e fenomenit të shit-blerjes së votes”, tha Basha.

Për kreun e PD, duhet një reformë edhe në sistemin politik në Shqiperi, për të kufizuar dhe kontrolluar pushtetin, duke nisur me një Parlament që nuk është thjesht vegël e qeverise, por mbikëqyrës dhe kontrollues i saj.

“Vetëm zgjedhjet e lira mund të rikthejnë besimin dhe shpresën dhe të ndalin eksodin e shqiptarëve që largohen drejt Bashkimit Europian, sepse iu mohohet e drejta për ndryshim përmes votës në vendin e tyre”, shtoi Basha.

Top Channel