PS, Balla: Reformë pa kushte. Komisioni me bashkëkryetarë

18/09/2017 00:00

Partia Socialiste është e gatshme të miratojë ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore.

“Në seancën më të parë të Kuvendit të ngrihet menjëherë komisioni për të adresuar çështjet e lëna pezull nga raportet e OSBE-ODIHR-it. Të gjitha çështjet e prekura nga zoti Basha të jenë pjesë e shqyrtimit”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Por ndryshe nga Basha, Balla nënvizoi se kusht i panegociueshëm është vetëm një. “Për një reformë të rëndësishme si kjo nuk mund të ulesh me kushte. Por nëse do kishte një kusht bazë, ai duhet të ishte patjetër vota e shqiptarëve kudo që ata jetojnë”, nënvizoi Balla.

Taulant Balla la të kuptohet se ndoshta nuk do jetë ai në krye të komisionit kur tha se, grupi socialist do ketë një qëndrim për këtë çështje, si dhe përjashtoi bashkëdrejtimin e LSI në këtë komision.

“Formula e komisioneve të reformës zgjedhore është se ato janë bipartizane, me një bashkëkryetar të mazhorancës dhe një që i takon partisë më të madhe të opozitës, PD”, saktësoi Balla.

Por edhe pse Lulzim Basha e quajti të rrëzuar marrëveshjen e 18 majit, Balla iu drejtua sërish atij. “Ne duam të kemi me opozitën një tryezë ku të mund të diskutojmë çështje të rëndësishme dhe propozimi i kryeministrit është ende i vlefshëm”, shtoi Balla.

Top Channel