Patozi: Kritikat e Berishës të vonuara! Grupi nuk përfaqëson PD

18/09/2017 00:00

Mazhoranca duket e konsoliduar përballë një kundërshtari disi të përgjumur, ku të vetmit që duken disi të zgjuar janë kritikët e Lulzim Bashës, kritika që u justifikuan me atë që ndodhi ditën e parë në Parlament, ku tre vota të opozitës votuan Gramoz Ruçin.

Zërave kritikë ndaj Lulzim Bashës iu shtua edhe ai i Sali Berishës, që pak ditë më parë nga emisioni “Fakt” i Çlirim Pekës, adresoi kritika të forta ndaj kreut të PD dhe duke shtuar njëkohësisht tonet e kritikëve të vjetër të Bashës.

“Unë do të kisha bërë një listë krejtësisht tjetër. I kam konsideruar dhe konsideroj të pamotivuara largimet e disa eksponentëve nga lista e PD. Nuk do të më shkonte ndërmend që të bëja një listë si kjo. Problemi thelbësor i kësaj liste është se nuk kaloi në forumet e partisë. Sot ka një armiqësi shumë të egër dhe uroj të zbutet për faktin se kryetari mori përsipër gjithë përgjegjësinë. Apeli im është që duhet të udhëhiqen nga interesat e PD. Kryetari duhet të ketë një sens përgjegjësie, vetëdije, se këta njerëz u hoqën prej tij dhe jo nga forumet. Lulzim basha kishte këshilltarë mizerabël elektoralë. Studimi që i bënë ata fokus-grupeve ishin fiasko”, deklaronte Berisha.

Një prej emrave që kritikoi që në fillim listën e kandidatëve të për deputetë të Partisë Demokratike, ishte Astrit Patozi. Ish-kreu i grupit parlamentar demokrat komentoi kritikat e Sali Berishës ndaj Bashës nga studio e Top Story-t këtë të hënë.

“Aty u thanë disa të vërteta, por të vërtetat në politikë duhen thënë në kohën e duhur. Kur thuhen me vonëse, apo me shumë vonesë nuk na duhen më për arkivë. Megjithatë, të vërtetat duhen konsideruar të tilla dhe duhen mirëpritur. Të dy protagonistët, Sali Berisha si lider historik dhe Lulzim Basha si kryetari i PD, pranojnë faktin që PD është në krizë përfaqësimi. Pra ai grup parlamentar nuk përfaqëson PD, por përfaqëson Bashën, pra është një listë personale”, deklaroi Astrit Patozi në Top Story.

Patozi tha se nuk kritikon Bashën për shkak të listës, ndërsa pranoi se në katër vitet e fundit, ndjehej e fortë hija e Sali Berishës në drejtimin e PD.

Top Channel